Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të vendin tonë u shpreh se lufta për çlirimin e Kosovës u fitua me ndihmën e aleatëve, partnerëve, miqve të çmuar të kombit shqiptar.
Ajo u shpreh se me mbështetjen e aleatëve, e ardhmja euroatlantike e Kosovës është e sigurt, ndërkaq, siç u shpreh ajo, pa ndihmën e tyre, asgjë nuk është e garantuar.
“Gjatë këtyre 25 viteve, Kosova më e reja Republikë e Evropës po ndërtohet si një shtet modern dhe euroatlantik në vizion, vlera, institucione, qëndrime e partneritete. Lufta për çlirimin e Kosovës u fitua me ndihmën e aleatëve, partnerëve, miqve të çmuar të kombit shqiptar”.
“Kosova e zhvilluar, demokratike dhe paqësore do të vijoj të ndërtohet po me ndihmën e miqve dhe aleatëve tanë të mëdhenj. Me mbështetjen e tyre, e ardhmja euroatlantike e Kosovës është e sigurt, pa ndihmën e tyre, asgjë nuk është e garantuar”, tha ajo.
Nikolla tha se Shqipëria e mbështet fuqimisht zhvillimin, demokratizimin, shtimin e njohjeve dhe fuqizimin e rolit ndërkombëtar të Kosovës.
“Shqipëria e Kosova janë sot dy shtete të pavarura, me miq e aleatë të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe botën e qytetëruar dhe që aspirojmë anëtarësimin në familjen evropiane. Shqipëria mbështet fuqimisht zhvillimin, demokratizimin, shtimin e njohjeve dhe fuqizimin e rolit ndërkombëtar të Kosovës”.
“Çdo sukses i Kosovës është edhe i Shqipërisë, çdo sukses i Shqipërisë është edhe i Kosovës. Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës po vijojmë partneritetin e ngushtë dhe bashkëpunimin intensiv, mbështesim bashkëpunimin mes qeverive dhe institucioneve në të mirë të shqiptarëve dhe paqes në rajon”, u shpreh ajo.