Luftëtari i UÇK-së e vajton Kosovën e pasluftës (VIDEO)

Luftëtari i UÇK-së e vajton Kosovën e pasluftës (VIDEO)

I mbetur invalid nga lufta e fundit në Kosovë, Enver Imeri, në një rrëfim krejtësisht emocional e dëshpërues për Kiks Kosova, shpalosi ndjenjat e tij më të sinqerta për Kosovën e luftës e të pasluftës.

Gati 25 vjet pas luftës, Imeri vjen i zhveshur nga uniforma e luftëtarit dhe i mbuluar me zhgënjim për shtetin, për të cilin luftoi, shenjat e një beteje që do t’i mbajë përjetë në trupin e tij.

Halli i luftëtarit të UÇK-së janë paratë që do t’i merrte nga pensionet, ai i invalidëve të luftës dhe pensioni kontributdhënës.

Sot si 67-vjeçar, Imerit do t’i takonte edhe pensioni i pleqërisë, krahas atij të invalidit. Por njëjtë nuk po mendon edhe qeveria.

Aplikimi i tij pengohet nga një dokument i vetëm.

Enver Imerit dhe shokëve të tij nuk u kompletohet aplikimi për pension në skemën e invalidëve të luftës dhe kategorive të tjera, pa e pasur edhe “vërtetimin për ndërprerje të pensionit të pleqërisë ose punës”.

Me plagët e marra në luftë, Imeri kategorizohet me 40 për qind shkallë të invaliditetit.

67-vjeçari nuk e ka ndërmend të dorëzohet para pushtetarëve. Aktualisht, Enver Imeri i merr 318 euro pension, të cilat thotë se i shkojnë në ilaçe e pagesa të tjera institucionale. Ndërsa, për paratë që i takojnë nga skema e invalidëve, thotë se ka bërë kërkesë dhe do të vazhdojë të insistojë deri sa të realizohet.

Përveç plagëve, Imeri e ka një pikë të madhe në zemër. Nuk ka fëmijë dhe jeton vetëm me gruan e tij, diku 20 kilometra larg nga Skenderaj.

Të mbetur të vetëm në një fshat pothuajse të boshatisur, Imeri ka vetëm një kërkesë – që dikush të ia sigurojë një banesë në qytetin e Skenderajt.

Related Articles