Lugina i kërkon Kosovës mbështetje për ruajtjen e identitetit kombëtar

Lugina i kërkon Kosovës mbështetje për ruajtjen e identitetit kombëtar

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti sot në takim deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, si dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.

Sipas njoftimit për media thuhet se gjatë takimit u diskutua rreth gjendjes së përgjithshme në Luginën e Preshevës dhe sfidave që shqiptarët përballen për shkak të politikave diskriminuese dhe shtypëse të autoriteteve serbe.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe gjendjes së shqiptarëve në rajonin e Sanxhakut, me theks të veçantë në nevojën për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar.

“Mbështetja për shqiptarët në Luginë dhe Sanxhak nuk është vetëm nevojë, por një domosdoshmëri,” u theksua në takim, duke nënvizuar rëndësinë e përkushtimit institucional për të drejtat dhe mirëqenien e shqiptarëve në Serbi.

Zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar mbështetjen e komunitetit shqiptar në këto rajone, si në ruajtjen e kulturës dhe identitetit kombëtar, ashtu edhe përmes programeve të përshtatura sipas nevojave konkrete të tyre.

Related Articles