Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kanë uruar të gjithë besimtarët myslimanë për muajin e shenjtë të Ramazanit, raporton Gazeta “Enigma”.
Abdixhiku u shpreh për Ramazanin si muaj që jep reflektim, paqe e dashuri mes njerëzve.
Më tutje ai vazhdon se ky është muaj i kujdesit, afërsisë e i ndarjes së të mirave ,e të tjerët, e që këto vlera i nevojiten vendit tonë.
“Të dashur besimtarë muslimanë, Dita e nesërme për të gjithë besimtarët shënon fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Shënon dhe fillimin e një muaji sa të veçantë shpirtërisht, aq dhe sfidues fizikisht. Prandaj më lejoni që në emrin tim dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, t’iu uroj fillimin e këtij muaji të sakrificës, shpresës e solidaritetit me të tjerët”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
“Ky muaj është moment reflektimi, paqeje e dashurie mes nesh; është muaj i kujdesit, i afërsisë e i ndarjes së të mirave me të tjerët. Uroj që këto vlera të forcohen sa më shumë në shoqërinë dhe vendin tonë. Sepse ne kemi nevojë për to. Ju dëshiroj agjërim të lehtë, pranim të lutjeve tuaja, shëndet të mirë, lumturi e prosperitet për ju dhe familjet tuaja! Zoti qoftë me gjithë ne!”.
Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, përmes një postimi në Facebook i ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Ramazan.
Ai u ka uruar agjërim të lehtë, duke u dashuruar që sakrificat dhe lutjet të iu pranohen tek Zoti.
“Të gjithë qytetarëve të besimit islam, urime fillimi i muajit të bekuar të Ramazanit. Qoftë një muaj i begatë, ku solidariteti dhe dashuria për njëri-tjetrin rriten, ndërsa sakrificat dhe luatjet tuaja pranohen tek Zoti. Agjërim të lehtë të gjithëve. Me Fat”, ka shkruar Krasniqi. /GAZETA ENIGMA/