Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka radhitur tri nivelet se ku çalon vendi ynë në arsim.
Në emisionin “Ora e Pasdites”, Lushaku-Sadriu tha se këto nivele janë mungesa e infrastrukturës për fëmijërinë e hershme, mangësia në zhvillimin e shkollave si dhe mungesa e investimit në zhvillimin e mendimit kritik te nxënësit.
“Në tri nivele çalon arsimi në Kosovë. Një, për mungesë infrastrukturore për fëmijërinë e hershme, që i bie që 90 për qind e fëmijëve të Kosovës deri në moshës 3-vjeçare nuk janë fare të përfshirë në kopshte. Pastaj edhe prej 3-5, është niveli shumë i ulët për shkak të mungesës së çerdheve. Urgjentisht duhet të ndërtojmë më shumë çerdhe, që secila lagje, secili regjion të ketë kopshte. Ka ende sot komuna pa kopshte, dhe kjo është komplet paradoksale dhe e padrejtë ndaj fëmijëve”, tha ajo.
“E dyta, kemi mangësi në zhvillimin e shkollave. Shkolla si shtëpi e dytë e fëmijëve, duhet të reformohet, duhet të ndërtohet struktura e klasës, duhet të bëhet klasa me orar më të zgjatur, me dollape individuale që secili nxënës të mos i ketë librat me shumë kilogramë, por të ketë mundësinë që shumicën e librave t’i lërë në klasë. Është e padrejtë që sot detyrat e shtëpisë janë kryesisht obligim i prindërve, nuk përfundohen si ushtrime brenda klasës. Imagjino fëmijët sot, 13 kilogramë është mesatarja e peshës së librave, shumica e fëmijëve vuajnë nga pesha e rëndë e çantës së shkollës. Unë për këtë synoj që në Kosovë të aplikoj mësimin gjithëditor, në të gjitha shkollat, ku nxënësit rrinë më shumë në shkollë, më shumë aktivitete fizike, kanë një shujtë ushqimi, kanë kulturë, artë”.
“Matjet që janë bërë nga PISA, ku fëmijët tanë janë të fundit në listë, kanë ardhur në përfundim dhe na kanë rekomanduar që për nivelin 1-5 të punojmë më shumë në lexim-kuptim, në ndërtim të mendimit kritik, që i bie që ne duhet të investojmë më shumë kohë duke bërë aktivitete si dramë, komentim të filmave, në përgjithësi të investojmë në ato që ngrisin mendimin kritik të fëmijëve dhe në atë të matematikës logjike”, u shpreh Lushaku-Sadriu.