Dyshja e Manchester Unitedit, Paul Pogba dhe Amad Diallo, e sillen vërdallë nëpër fushën e Old Traffordit me flamur palestinez në dorë, pas barazimit 1:1 me Fulhamin në ndeshjen e parafundit në Premierligë.
Unitedi, që sezonin në ligë do ta mbyllë në vendin e dytë, luajti përballë 10 mijë tifozëve për herë të parë pas një kohe të gjatë, pasi qeveria britanike e lejoi kthimin e tifozëve nëpër stadiume në numër të kufizuar.
Kjo ishte ndeshja e fundit në shtëpi për djajtë e kuq, edhe pse ndeshjen e fundit të sezonit në ligë do ta zhvillojnë të dielën kundër Wolves në udhëtim, para se të përballet me Villarrealin në finale të Ligës së Evropës.
Është traditë për lojtarët e Unitedit të sillen rrotull fushës pas ndeshjes së fundit të sezonit në Old Trafford dhe Pogba e shfrytëzoi këtë për ta shfaqur përkrahjen për Palestinën në konfliktin me Izraelin, duke e mbajtur në dorë një flamur palestinez.
Atij iu bashkua më vonë edhe i riu Diallo, transmeton Gazeta Sinjali Sport.
Më vonë, Pogba shkroi në rrjetet sociale: “Ta mbajmë botën të sigurt dhe të lirë nga dhuna. Lutemi për Palestinën”.