Lëvizja VETËVENDOSJE! është bërë zyrtarisht parti e asociuar në organizatën e Partive të Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë (PES), duke ngritur kështu statusin e saj brenda kësaj familjeje të rëndësishme politike në Bashkimin Evropian.
Ky zhvillim u konfirmua gjatë Kongresit të PES-it që po mbahet në Amsterdam të Holandës, ku po merr pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me Sekretarin Organizativ, Alim Rama, dhe anëtaren e Kryesisë, Tinka Kurti.
Ky status, sipas njoftimit të partisë, është niveli më i lartë që një parti politike mund të ketë në një familje evropiane para se shteti i saj të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij para kongresit, Kurti falënderoi drejtuesit e PES-it për pranimin e VETËVENDOSJE!-s si anëtare të asociuar dhe theksoi rëndësinë e këtij momenti për Kosovën dhe subjektin që ai drejton. Ai foli për proceset e brendshme politike në vend, për sfidat në rrugën drejt integrimit evropian dhe për masat që qeveria e tij ka ndërmarrë në forcimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe bashkëjetesën ndëretnike.
“Kosova ka dëshmuar se politikat progresive socialdemokrate mund të sjellin rezultate konkrete. Kjo arritje e VETËVENDOSJE!-s në PES është një konfirmim i këtij drejtimi,” u shpreh Kurti.
Ai shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane, demokracisë dhe bashkëpunimit rajonal, duke bërë thirrje për heqjen e masave ndëshkuese ndaj vendit dhe për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.
Në përfundim të fjalimit, Kurti u bëri thirrje forcave progresive evropiane për unitet përballë sfidave globale, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të një Evrope të sigurt, demokratike dhe solidare.
“Le ta forcojmë demokracinë dhe solidaritetin kundër forcave të errëta të fashizmit të ri, dhe le të shkruajmë sërish historinë e mendimit dhe veprimit socialdemokratik në të mirë të të gjithë qytetarëve evropianë,” tha Kurti.