LVV dhe PDK nuk i kanë dhënë asnjë cent për të shlyer dënimet nga PZAP-ja

LVV dhe PDK nuk i kanë dhënë asnjë cent për të shlyer dënimet nga PZAP-ja

Tre muaj pas zgjedhjeve, shumica e subjekteve politike nuk kanë paguar ende gjobat për shkeljet gjatë fushatës. Vlera e përgjithshme e papaguar e gjobave është më shumë se gjysmë milioni euro.

Më shumë se gjysmë milionë euro është totali i gjobave të papaguara nga subjektet politike për shkeljet nga fushata dhe zgjedhjet parlamentare të 9 Shkurtit.

Derisa në tërësi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa shqiptoi 146 gjoba në vlerë të përgjithshme 651 mijë euro, sipas tabelës së përditësuar më 6 Maj, borxhi i mbetur wshtw 543 mijë euro.

Nga 16 subjektet në listë, Lëvizja Vetëvendosje ka numrin më të madh të gjobave, 47 sish, dhe është borxhliu më i madh me 212 mijë euro të papaguara. Kjo parti, deri në përditësimin në fjalë, nuk pagoi asnjë cent.

Asnjë cent nuk e pagoi as Partia Demokratike, që ishte gjobitur 28 herë dhe që ka borxh në vlerë totale mbi 144 mijë euro.

Pak më shumë se 72 mijë euro është borxhi i koalicioni AAK-Nisma dhe të tjerët, që po ashtu nuk kanë paguar asnjë cent.

Lidhja Demokratike, ndërkaq, ka paguar shumën më të madhe deri tani, 65 mijë euro. Por, kjo parti sipas tabelës ka borxh edhe më shumë se 71 mijë euro.

Krahas njoftimit se afati për pagesën e gjobave ka qenë 15 ditë, Paneli theksoi se në rast se nuk shlyejnë borxhet subjektet mund të kenë pasoja.

“Sipas Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, gjegjësisht në neni 16 paragrafi 13, i jep të drejt KQZ-së të pezullojë procesin e aplikimit për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje të gjitha subjekteve politike të cilat nuk i paguajnë gjobat e shqiptuara me vendime të PZAP-it”.

Në Institutin Demokratik të Kosovës treguan se PZAP-i nuk mund të përdorë më përmbarimin.

“Në të kaluarën PZAP-i ka pasur mundësi t’u dërgoj një njoftim paraprak partive politike që brenda 15 ditëve t’i ekzekutojnë dhe t’i paguajnë gjobat, nën kërcënimin e një përmbarimi ligjor, tanimë me ndryshimet në ligjin për procedurën përmbarimore asnjë organ ose, të themi, përmbaruesit privat nuk kanë më të drejtë që t’i ekzekutojnë gjobat e shqiptuara nga ana e organeve administrative”, ka deklaruar Vullnet Bugaqku, Hulumtues i Lartë në KDI.

Krahas ATK-së, sipas hulumtuesit Bugaqku, për kthimin e borxhit mund të angazhohet edhe KQZ-ja pas njoftimit paraprak nga PZAP-i.

“KQZ-ja, zyra për regjistrim të partive politike, mund që për partitë politike parlamentare t’i nxjerrë këto gjoba nëpërmjet fondit për mbështetjen e partive politike, varësisht nga lartësia e gjobës”, ka deklaruar Vullnet Bugaqku, Hulumtues i Lartë në KDI.

Subjektet politike që i kanë paguar në tërësi gjobat janë: PLE, IRDK, Lista Serbe, NDS, NBK, VAKAT dhe ORK.

Related Articles