Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës pritet të hidhet në votim propozimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Deri sa ka gjetur përkrahje nga Partia Demokratike e Kosovës për shkarkimin e këtij bordi, ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo që ka kundërshtuar propozimin e LDK-së, duke bërë të ditur se do të votojë kundër shkarkimit të Bordit të ZRRE-së.
Shkarkimin e Bordit të ZRRE-së e ka kundërshtuar edhe kryetarja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci.
Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se VV-ja është kundër shkarkimit të Bordit të ZRRE-së për shkak se nuk janë ofruar arsyetime të bindshme për një vendim të tillë.
“Nuk e ka pasur arsyetimin e bindshëm që duhet të ndërtohet në një rrethanë të tillë, kur brenda më pak se një viti kërkohet shkarkimi i Bordit që është emëruar po nga ky Kuvend. Në Ligjin për Rregullatorin e Energjisë parashihen saktësisht situatat kur krijohen kushtet për shkarkimin e bordit”, ka thënë Kusari-Lila.
Kujtojmë se deputetët e opozitës kanë ofruar arsyet pse mbështesin shkarkimin e Bordit të ZRRE-së, ku kanë thënë se ky bord e ka vënë Kuvendin në lajthitje.