Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se përmes mjeteve të informimit është njoftuar se Gjykata Komerciale ka vendosur masën e pezullimit të punëve në projektin infrastrukturor Rruga A.
Në një reagim zyrtar, LVV thotë se ky vendim është pasojë e qasjes së vazhdueshme anti-institucionale dhe anti-ligjore të ekzekutivit të Komunës së Prishtinës.
“I gëzohemi dhe mbështesim çdo projekt që bëhet në Prishtinë e për Prishtinën, natyrisht gjithmonë duke respektuar rregullat dhe procedurat ligjore” thuhet në reagim.
Ky është reagimi i plotë:
Lëvizja VETËVENDOSJE!-Qendra në Prishtinë përmes mjeteve të informimit është njoftuar se Gjykata Komerciale ka vendosur masën e pezullimit të punëve në projektin infrastrukturor Rruga A.
Janë të freskta reagimet e shumta që janë bërë nga organizata joqeveritare që përcjellin aktivitetet e prokurimit në Komunën e Prishtinës dhe mediat e vendit kur është shpallur fituesi i këtij projekti. Edhe ne si LVV, përmes asamblistëve tanë në Kuvendin Komunal, kemi shprehur dyshimet tona në lidhje me procedurat dhe kemi bërë thirrje për transarencë e zbatim të normave ligjore.
Vendimi i sotshëm i Gjykatës Komerciale është pasojë e qasjes së vazhdueshme anti-institucionale dhe anti-ligjore të ekzekutivit të Komunës së Prishtinës. Kujtojmë që edhe disa rrugë të tjera të qytetit, si shkak i vendimeve të jashtligjshme të Kryetarit Rama, janë nën masën e sigurisë së gjykatave. Gjithashtu është inicuar kontest gjyqesor nga MAPL ndaj Komunes së Prishtinës për moszbatim të vlerësimeve ligjore siç parashihet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Gjithandej nëpër matjet e të gjitha organizatave, Komuna e Prishtinës prinë për vendime e veprime të paligjshme.
Është për çdo kritikë dhe për t’u denuar reagimi i Kryetarit të Prishtinës në lidhje me këtë çështje. Etiketimi i gjyqtares së rastit dhe deklarimi se vendimi është politik e ka për qëllim bllokimin e projekteve në Prishtinë, është tendencë e Përparim Ramës për ta mbuluar dështimin e vet të pashmangshëm dhe tashmë evident.
Shpresojmë në trajtim të shpejt dhe të drejtë të çështjes meritore të rastit nga ana e Gjykatës Komerciale, në mënyrë që rruga A, si një projekt jetik i banorëve të asaj zone dhe i rëndësisë së veçantë për Kryeqytetin, të finalizohet dhe të jetë në shërbim të qytetarëve.
I gëzohemi dhe mbështesim çdo projekt që bëhet në Prishtinë e për Prishtinën, natyrisht gjithmonë duke respektuar rregullat dhe procedurat ligjore.