A.A, është dënuar me 500 euro gjobë pasi e ka pranuar se në janar të këtij viti e ka goditur me shuplaka në kokë ish-gruan e tij, S.S.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të hënën nga gjykatësja Diana Sina.
Paraprakisht, në seancën fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Anton Hasanaj, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën akuzohet.
“Jam pendu pa masë. Ka qenë një keqkuptim, por tani nuk kemi asnjë mosmarrëveshje me S.S., më parë kemi jetuar bashkë dhe kemi një fëmijë, edhe pse unë e kam kujdestarinë e njëjta mundet me vizitu djalin sa herë të dëshirojë. Kemi raporte shumë të mira miqësore edhe pse unë kam vazhduar jetën me një grua tjetër dhe S.S me një person tjetër”, tha i akuzuari.
E dëmtuara, S.S tha se ia ka falur të akuzuarit dhe se tani kanë raporte shumë të mira miqësore, ndërsa shtoi se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se nuk kërkon kompensim dëmi.
Përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Feride Xani dhe mbrojtësi i viktimave, Agim Pula e kanë mbështetur deklarimin e të dëmtuarës.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se A.A i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore ish-bashkëshortes së tij, S.S, më 6 janar 2021.
Sipas aktakuzës, pasi që i akuzuari e thërret në telefon të dëmtuarën dhe i kërkon që të takohen që të bisedojnë për problemet që kishin pasur pasi që ishin ndarë rreth një viti më parë, pasi që takohen i akuzuari i thotë të dëmtuarës “Ma s’ke me pa dritë me sy, tani do të tregoj unë ty çfarë do të bëj” dhe e godet me shuplaka në kokë, me ç’rast të dëmtuarës i shkakton lëndime të lehta trupore.
Për këtë, ai ngarkohet me veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 i Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.