Liderët e Francës dhe Gjermanisë i kanë bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin, që të zhvillojë negociata të drejtpërdrejta dhe serioze me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky.
Këtë e ka bërë të ditur kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron biseduan me Putinin në telefon për më shumë se 80 minuta.
Dyshja “këmbëngulën në armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqje të trupave ruse”, njoftoi kancelari Scholz.
Në anën tjetër sipas Kremlinit, lideri rus ka bërë të ditur Moska është e hapur për dialog me Kievin. Megjithatë nuk është përmendur mundësia për bisedime direkte mes Putinit dhe homologut ukrainas.
Javë më parë, presidenti ukrainas pati deklaruar se kërkon bisedime, duke shtuar se janë të nevojshme për t’i dhënë fund konfliktit.
Delegacioni rus dhe ai ukrainas kanë zhvilluar disa raunde të bisedimeve që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, por deri më tani nuk kanë pasur ndonjë sukses.
Franca dhe Gjermania gjithashtu i kanë bërë thirrje Putinit që të lirojë 2.500 luftëtarët ukrainas, që janë robër lufte nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol.