Disa vende evropiane po punojnë për një mision të përbashkët diplomatik në Afganistan që do të lejojë ambasadorët e tyre të kthehen në këtë vend, tha presidenti francez, Emmanuel Macron.
Vendet perëndimore po përpiqen të kuptojnë se si të krijojnë një marrëdhënie me Talebanët që morën kontrollin e vendit gjatë muajit gusht, gjersa forcat amerikane u tërhoqën pas njëzet vjetëve.
SHBA dhe vendet e tjera perëndimore mbyllën ambasadat e tyre dhe tërhoqën diplomatët e tyre pasi Talebanët pushtuan Kabulin, pas së cilës militantët shpallën një qeveri të përkohshme, anëtarët më të rëndësishëm të së cilës janë nën sanksionet e SHBA-së dhe OKB-së.
“Disa vende evropiane po mendojmë të organizojmë një vend të përbashkët, i cili do t’i lejonte ambasadorët tanë të jenë të pranishëm”, tha Macron para gazetarëve në Doha, raporton reuters.
“Delegacioni i BE-së theksoi mundësinë e vendosjes së një pranie minimale në Kabul, e cila nuk do të kërkonte njohje dhe do të varet drejtpërdrejt nga situata e sigurisë, si dhe vendimet efektive de facto të qeverisë për të lejuar BE-në të sigurojë mbrojtjen e duhur të stafit të saj dhe lokalet”, thuhet në një deklaratë të Bashkimit Evropian.
Franca njoftoi veçmas të premten se kishte evakuuar misionin në Afganistan me ndihmën e Katarit dhe kështu largoi më shumë se 300 njerëz nga vendi, kryesisht afganë. /Gazeta Enigma/