Macron nuk pranoi të bënte test rus për COVID-19

Macron nuk pranoi të bënte test rus për COVID-19

Presidenti francez Emmanuel Macron, refuzoi kërkesën e Kremlinit që të bënte një test rus për COVID-19 para se ta takonte Presidentin Vladimir Putin këtë javë.

Sipas dy burimeve në rrethin e presidentit Macron, arsyeja perse presideni francez refuzoi të bënte testin ishte për të parandaluar Rusinë të merrte ADN-në e tij.

Si rezultat, kreu vizitues i shtetit francez u mbajt në distancë nga lideri rus gjatë bisedimeve të gjata për krizën e Ukrainës në Moskë.

Ata u fotografuan në skajet e kundërta të një tavoline aq gjatë sa që shkaktoi komente satirike në mediat sociale dhe spekulime, se Putini mund ta përdorte atë për të dërguar një mesazh.

Por dy burime që kanë njohuri për protokollin shëndetësor të presidentit francez i thanë Reuters se Macron-it i ishte dhënë një zgjedhje: ose të pranojë një test PCR të bërë nga autoritetet ruse dhe të lejohet të afrohet me Putinin, ose të refuzojë dhe duhet t’i përmbahet rregullave më të rrepta të distancimit social.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se Macron e kishte refuzuar testin dhe tha se Rusia nuk kishte asnjë problem me këtë, por kjo do të thoshte se kërkohej një distancë prej 6 metrash nga Putini.

Zyra e Macron tha se protokolli rus shëndetësor “nuk na dukej as i pranueshëm dhe as i pajtueshëm me kufizimet tona të ditarit”, duke iu referuar kohëzgjatjes që do të ishte kërkuar për të pritur rezultatet.

Kur u pyet në mënyrë specifike për vjedhjen e ADN-së, zyra e Macron tha se “Presidenti ka mjekë që përcaktojnë rregullat që janë të pranueshme ose jo për sa i përket protokollit të tij shëndetësor”.

Të enjten, tre ditë pasi Macron dhe Putin patën takimin e tyre në distancë shoqërore, lideri rus priti presidentin kazak, Kassym-Jomart Tokayev. Të dy shtrënguan duart dhe u ulën afër njëri-tjetrit, të ndarë vetëm nga një tavolinë e vogël kafeje.

Ndryshe, autoritetet ruse kanë vendosur kushte të rrepta për njerëzit që dëshirojnë të takohen me Putinin, përfshirë izolimin për dy javë.

Related Articles