Maliqi thotë se politikat e Kurtit janë të dëmshme, sidomos për ekonominë dhe politikën e jashtme

Maliqi thotë se politikat e Kurtit janë të dëmshme, sidomos për ekonominë dhe politikën e jashtme

Filozofi dhe intelektuali kosovar, Shkëlzen Maliqi, vlerëson se Qeveria e Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurti, për gati 3 vjet në ekzekutiv nuk kishte strukturë, por as kapacitete të mjaftueshme kadrovike për të organizuar qeverisje efikase në shumë sektorë vitalë për mirëqenien dhe zhvillimin e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas Maliqit, ndoqi politika hibride, improvizuese, shumë të dëmshme për ekonominë, politikën e jashtme, në dialogun me Serbinë, pa rezultate në sektorin e shërbimeve publike si në arsim, shëndetësi.

Përveçse dështimit në qeverisje, publicisti Maliqi, konsideron se Qeveria e Kosovës me votën popullore më të madhe ndonjëherë që nga pas lufta, eksploatoi vende të pashkelura më parë, duke u konfrontuar me fuqitë aleate, politikë e cila rezultoi me masa ndëshkuese ndaj vendit.

Sipas Maliqit, ndonëse me vonesë e pasoja, Kurti gjatë rrugës u bind se Kosova s’mund të ecë përpara pa bashkërenditje me BE-në dhe SHBA-të.

“Më në fund, me vonesë, u bind se nuk mund të ecët përpara pa bashkërenditje me BE dhe SHBA-të, u pajtua me planin franko-gjerman, u bë garant për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe që e kundërshtonte ashpër, e pranoi Marrëveshjen e Ohrit, dhe pati fat që ndodhi sulmi terrorist në Banjë, ku u pa vlera e aleancës më NATO-n dhe sa jemi aktualisht sovran si shtet, nëse veprojmë krye në vete”, thotë Maliqi në një intervistë për Albanian Post.

Në momentin që aprovohet draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe më pastaj nis pa vonesa shtesë zbatimi i Marrëveshjes së Brukseli/Ohrit, derivat i propozimit franko-gjerman, problemi i Veriut të Kosovës, beson analisti politik Maliqi, do të kalojë në një fazë tjetër më premtues dhe më të sqaruar.

Megjithatë situata nuk është aq bardh e zi, meqë sipas tij, për bllokimin e rrugës drejt progresit do të punojnë forcat obstruktive me qëllim prishjen e planit.

Related Articles