Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve.
Të shtëna me armë janë dëgjuar edhe dje në mesditë, në fshatin Banjë të Malishevës, ku një person dyshohet se kishte gjuajtur me armë zjarri në oborrin e shtëpisë, ku kishin organizuar dasmë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se posa rasti është denoncuar, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, por aty nuk gjetën askënd, pasi familja kishte shkuar për ta marrë nusen.
I dyshuari është identifikuar dhe më pas ka dorëzuar armët e zjarrit, teksa janë sekuestruar gëzhojat që janë gjetur në vendin e ngjarjes.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprat penale ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’.
Kujtojmë se në vazhdimësi është bërë thirrje që të festohet pa armë, por siç duket këto thirrje kanë hasur në vesh të shurdhër.