Zgjedhja e asamblistit Argjend Thaçi kryesues i Kuvendit Komunal në Malishevë ka trazuar degën e kësaj partie në këtë komunë.
Kryesuesi i ri e pranon se kandidoi dhe e mori asamblenë pa pëlqimin e subjektit të tij, ani se kërkoi leje për këtë, siç thotë, rrafsh dy javë.
“Kam kërkuar nga kryetari të ma aprovojë kërkesën time dhe pasi s’ka pasur të interesuar nga kolegët e mi, kam vendosur të kandidoj”, tha Thaçi.
Pasi e akuzoi se bëri marrëveshje të fshehtë më Nismën, LDK-ja e largoi Thaçin nga të gjitha pozitat në parti, bashkë me të edhe dy asamblistë tjerë, si shkak i zgjedhjes së bërë.
‘Ka qenë qëndrim politik që nuk do të ketë kandidat, pavarësisht interesimit”, tha Ganimet Gashi, kryesues i asamblistëve të LDK-së.
Te Nisma mohojnë çdo marrëveshje paraprake me kryesuesin e ri.
“Gjithçka ka qenë spontane”, tha Avni Morina, nga Nisma në Malishevë.
Pavarësisht asaj që ndodhi, Thaçi premtoi se do të jetë një kryesues unifikues për krejt partitë në Malishevë./Gazeta Enigma/