Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, ka folur për vettingun në sistemin e drejtësisë në një konferencë për medie.
Ai tha se kanë pasur takime të ndryshme me faktorët e pushtetit dhe përfaqësuesit e ministrisë së Drejtësisë kur është diskutuar për këtë çështje.Maloku u shpreh se nuk e mbështesin këtë proces të vettingut të paraqitur nga ministrja Albulena Haxhiu. Kjo pasi sipas tij, nuk i sjell dobi as sistemit të drejtësisë e as qytetarëve të Kosovës.
“Ju e dini ne kemi qenë aktiv prej fillimit në Grupet Punuese që i ka formuar Ministria e Drejtësisë. Kemi pasur përfaqësuesit tanë aty. Kanë qenë aktiv. Edhe në takimet e drejtpërdrejta me ministren e Drejtësisë apo faktorët e tjerë”.“Nuk i përkrahim një proces të vettingut klasik pasi ka më shumë pasoja sesa që i sjell dobi KPK-së. Nuk e di çfarë dobie i sjell qytetarit një vetting që më tepër ka më shumë pasoja sesa dobi. Nuk jemi dakorduar për një vetting të tillë”.Për Malokun, nuk është parë racionale ky vetting dhe i njëjti mendim qoftë nga Këshilli Prokurorial apo ai Gjyqësor nuk ndryshon as ditën e sotme.“Ne kemi dhënë mendimet tona që kemi qenë në gjendje të bëjmë ndërhyrje ligjore, të ndryshojmë ato ligje që mendojmë se janë pengesë në rrugë e sipër e të forcojmë mekanizmat e brendshëm në KPK dhe KGJK dhe pse mos ta bëjmë një reformë tonë të brendshme pa pasoja por gjithnjë edhe në dobi të sistemit dhe qytetarëve tanë. Një vetting të tillë me ndryshime kushtetuese s’e kemi parë të arsyeshëm dhe asaj i qëndrojmë edhe sot dhe të njëjtin mendim e kemi”, tregoi ai para gazetarëve, teksa shpalosi punën vjetore të KPK-së.