Maloku: Për herë të parë Hashim Thaçin e kam takuar në gusht të ‘98-ës

Maloku: Për herë të parë Hashim Thaçin e kam takuar në gusht të ‘98-ës

Dëshmitari Naim Maloku tha se Hashim Thaçin e ka takuar për herë të parë në Prapaqan në gusht të 1998-ës.

“Kjo është e para herë që jam taku. Nja tri ditë para se me ra Loxha”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Maloku tha se edhe një herë gjatë gushtit, e ka takuar Thaçin edhe në Kleçkë.

“Në gusht jam taku edhe në Kleçkë. Ka qenë 2-3 ditë para se me ra Kleçka në shtëpinë e Zenel Shalës që isha i strehum si i plagosur rëndë”, tha ai duke shtuar se Kleçka ka rënë më 25 gusht 1998.

Sipas Malokut, Komandant Kumanova e ka sjellë dëshmitarin atë ditë në Kleçkë. Ai po ashtu tha se për Kumanovën e ka marrë vesh pas luftës  që emrin e vërtetë e kishte Ismet Jashari.

Dëshmitari u pyet nga prokurori James Pace se çfarë roli kishte në UÇK, Faton Mehmetaj.

“Ka qenë epror ose përgjegjës i sektorit ZKZ (Zbulim Kundër Zbulim) në Dukagjin, më duket sa unë kam dëgju që atij i ka ndihmu Fitnet Ramosaj. Ata dy diheshin nga ushtarët e UÇK-së që e kanë atë funksion, atë rol”, u përgjigj Naim Maloku.

Dëshmitari shtoi se e ka takuar në rrugë, por që nuk i kujtohet që ai ka qenë prezent në ndonjë takim.

Ndërsa, për personin me emrin Shpëtim Golemi, Naim Maloku tha se emri i tij i vërtetë ka qenë Dilaver Goxhaj.

Dëshmitari tha se pas Bislim Zyrapit, vendin e tij e zuri Agim Çeku dhe se Dilaver Goxhaj ka ardhur me këtë të fundit, por që nuk e din se çfarë roli ka pasur.

Dëshmitari tha se Agim Çeku ia ka kërkuar që të mobilizohet por që para se t’i vijë vendimi, Maloku ka dorëzuar armën dhe ka njoftuar demobilizimin në ushtri.

Gjatë dëshmisë në Hagë, dëshmitari tha se vazhdimisht ka bërë thirrje për institucionalizimin e UÇK-së dhe shtoi që ishte kundër idesë së Bujar Bukoshit që Shtabi i UÇK-së të vendosej në Tiranë.

Related Articles