Manchester City ka marrë një fitore të rëndësishme në ndeshjen e tretë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve, duke triumfuar si mysafir ndaj Villarrealit me rezultat 2-0.
Skuadra e Pep Guardiolës dominoi takimin dhe tregoi efikasitet në momentet kyçe.
Që në minutat e para, Man City rrezikoi me Jeremy Doku, por portieri Luiz Junior reagoi mrekullisht. Dominimi i “Qytetarëve” u shpërblye në minutën e 17-të, kur Erling Haaland shënoi nga afër pas një pasimi të saktë nga Rico Lewis, duke i dhënë epërsinë 1-0 skuadrës angleze.
Në minutën e 40-të, Bernardo Silva e dyfishoi rezultatin me kokë pas asistimit të Savinhos, duke vulosur fitoren e Man Cityt që në pjesën e parë.
Villarreal provoi të reagojë në pjesën e dytë, por portieri Gianluigi Donnarumma ishte në nivel të lartë, sidomos në minutën e 71-të kur ndali një goditje të rrezikshme të Pape Gueye.
Në minutat e fundit, Tanitoluwa Oluwaseyi ishte pranë golit të nderit për vendasit, por goditja e tij me kokë u përplas në shtyllën e djathtë.
Pavarësisht tentativave të Villarrealit, Manchester City menaxhoi me maturi avantazhin dhe ruajti portën e paprekur.
Me këtë fitore, ekipi i Guardiolës forcon pozitën e tij me 7 pikë dhe hedh një hap të rëndësishëm drejt fazës tjetër.