Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e ka çuar në Gjykatë kryetarin e Kryeqytetit, Përparim Rama.
Arsye për këtë del të jetë themelimi i tri drejtorive të reja. Më 8 shkurt të këtij viti, Komuna e Prishtinës e kishte nxjerrë një vendim për ndryshim/plotësimin e vendimit të datës 19 janar, 2016 nga atëherë kryetari Shpend Ahmeti.
Me vendimin e ri të Kryeqytetit u themeluan tri drejtori të reja, gjegjësisht “Drejtoria për Transformimin e Kryeqytetit”, “Drejtoria e Pronës dhe Kadastrit”, që është fuzionim i drejtorive të Pronës dhe Kadastrit, dhe “Drejtoria e Planifikimit, Urbanizmit dhe Mjedisit”, po ashtu fuzionim i dy drejtorive, asaj të Urbanizmit dhe të Planifikimit Strategjik.
Mirëpo, ky vendim i kryetarit Rama po del të jetë jo në harmoni me ligjin.
Kështu, MAPL-ja ka marrë vendim që lëndën e kompletuar ta dërgojë në gjykatën kompetente.
Në shkresën e protokolluar më datë 29 maj, 2024 të MAPL-së, sqarohet se kjo ministri më 13 mars i kishte dërguar Komunës së Prishtinës kërkesën për rishqyrtim të aktit.
Megjithatë, theksohet se e njëjta nuk ka ndërmarr asnjë hap në këtë drejtim.
“Duke pasur për bazë se Kryetari i Kryeqytetit të Prishtinës, konform nenit 82.2 të Ligjit Nr. 03/L040 për Vetëqeverisje Lokale, nuk ka ndërmarr asnjë veprim konform kërkesës së MAPL-së për rishqyrtim dhe harmonizim të aktit me legjislacionin në fuqi, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, konform nenit 82 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, dërgon Vendimin Nr. 14.030/01.21504/24 për ndryshim/plotësimin e vendimit Nr. 01-031-13761 të datës 19.01.2016 në gjykatën kompetente për të vendosur lidhur me këtë çështje”, thuhet në shkresën e MAPL-së.
Për paligjshmërinë mbi themelimin e tri drejtorive komunale, në Rubikon të Klan Kosova kishte folur edhe drejtoresha ekzekutive e Iniciativës për Progres – INPO, Albulena Nrecaj, më 28 shkurt të këtij viti.
Derisa nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj po fliste për këto tri drejtori, Nrecaj tha se “Komuna e Prishtinës nuk ka bazë ligjore për krijimin e një drejtorie”.
“Në bazë të Statutit të Komunës së Prishtinës, Komuna ka të drejtë të ketë 10 Drejtori”, tha Nrecaj më tej.
Ajo tha se drejtoria e re duhet të ketë buxhet dhe se buxhetin e ka votuar kuvendi, dhe janë të caktuara kategoritë buxhetore dhe financimi.
E pyetur nga drejtuesi i emisionit, Adriatik Kelmendi se a po i bie kjo që është shkelje e ligjit, Nrecaj tha: “Absolutisht po”.
Nënkryetari Zogaj tha se Kryetari i Komunës ka të drejtë të themelojë drejtori të reja çdo ditë me një vendim.
MAPL-ja ndërkaq njoftoi se për ta dërguar lëndën në gjykatë, përgjegjëse është Ministria e Drejtësisë, gjegjësisht Avokati i Përgjithshëm i Shtetit.