Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit serb të Mbrojtjes, Bratsillav Gashiq, i cili ka thënë se institucionet e Kosovës po “sajojnë luftën kundër krimit për qëllime terrori dhe spastrimi etnik”.
Ai ka thënë se kjo është një deklaratë në frymën e shefit të tij, Aleksandër Vuçiq, dhe idolit të tyre të përbashkët ideologjik, kryekriminelit Sllobodan Millosheviq.
Maqedonci ka thënë se politika shtetërore e Serbisë mbetët kërcënimi më i madh për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
“Kur flasim për krimin dhe destabilizimin, i kujtojmë Ministrit Gashiq se politika shtetërore e Serbisë mbetet gjeneratorja dhe mbështetësja më e madhe dhe më e rrezikshme e destabilizimit dhe krimit në Ballkanin Perëndimor. Përmes një lufte hibride — që përfshin kërcënimin konvencional përmes militarizimit të zonave përreth Kosovës, mbështetjen dhe strehimin e grupeve terroriste të udhëhequra nga krimineli Millan Radoiçiq, fushatave të dezinformimit dhe lajmeve të rreme, luftës diplomatike dhe sponsorizimit të akteve të sabotazhit — strukturat politike dhe të sigurisë në Serbi synojnë destabilizimin e qëllimshëm të Republikës së Kosovës, si dhe minimin e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së saj”, ka shkruar Maqedonci