Maqedonci: Nuk do të dorëhiqem, do të vazhdoj të fuqizoj FSK-në

Maqedonci: Nuk do të dorëhiqem, do të vazhdoj të fuqizoj FSK-në

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka shprehur vendosmërinë e tij për të mbajtur postin, pavarësisht debatit të fundit mbi ushqimin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK).

Në një intervistë për emisionin “Ditari i mesditës” në A2 CNN, ai theksoi se është i përkushtuar për të vazhduar përpjekjet për të fuqizuar kapacitetet mbrojtëse të vendit.

“Ky debat është pjesë e fushatës, pasi për herë të parë vendi po shkon në zgjedhje të rregullta, dhe opozita ka marrë hapësirë për të filluar fushatën para kohe. Këto çështje nuk duhet të ngriheshin në këtë nivel,” tha Maqedonci. Ai theksoi se ai dhe Komandanti i FSK-së kanë punuar për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve, sidomos në lidhje me tenderët për ushqim.

Maqedonci sqaroi se ai ka ndërprerë një kontratë problematike, duke e zëvendësuar me një koncept të ri që do të shmangë keqpërdorimet. “Kam ndërprerë një kontratë që kishte probleme ligjore. Kjo na ka mundësuar të zhvillojmë një koncept të ri,” shpjegoi ai, përcjell Gazeta Enigma.

Ai gjithashtu theksoi se nuk ka kërkuar dorëheqjen dhe se çdo veprim i tij është bërë me vetëdije. “Unë besoj se kam ndërmarrë hapat e duhur si ministër dhe nuk kam ndërmend të dorëhiqem. Do të vazhdoj të punoj për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse në Republikën e Kosovës,” përfundoi Maqedonci.

Related Articles