Maqedonci: Stafi i ri i kuzhinierëve në FSK filloi punën më 16 dhjetor

Maqedonci: Stafi i ri i kuzhinierëve në FSK filloi punën më 16 dhjetor

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, njoftoi se më 16 dhjetor ka nisur punën stafi i ri i kuzhinierëve profesional dhe teknik në FSK.

Ai vlerësoi këtë si përmbyllje të suksesshme të periudhës kalimtare, gjatë së cilës përgatitja e ushqimit ishte siguruar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Qendra e Studentëve, shkruan Gazeta Enigma.

Me këtë rast ai i ka falënderuar të gjithë ata që kontribuan vullnetarisht dhe mundësuan që as edhe një ditë të mos ndërpritej shërbimi i ushqimit për pjesëtarët e ushtrisë.

“Gjersa në publik ngriheshin me apo pa vetëdije teori të ndryshme dhe shpërndaheshin dezinformata të dëmshme, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Qendra e Studentëve ishin ata që vullnetarisht mundësuan që as edhe një ditë të mos ndërpritej shërbimi i ushqimit për pjesëtarët e ushtrisë sonë, gjersa po jetësohej koncepti i ri i shërbimit me ushqim. Shpirti atdhetar e kontributdhënës i tyre që shoqëroi çdo ditë nga tetori deri me datën 16 dhjetor të këtij viti është i paçmim, andaj jam tejet i lumtur që sot prita në ministri, Drejtorin e Qendrës së Studentëve – Ekrem Rudari, Drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës – Ismail Dibrani, Drejtorin e Mensës – Fahri Osmani, si dhe njëzet e pesë vullnetarët, kuzhinierët dhe stafi mbështetës nga këto dy institucione. Falënderues ndaj secilit prej tyre që me punë përmbyllën suksesshëm këtë periudhë kalimtare, gjersa jam i ngazëllyer të jap lajmin se nga data 16 dhjetor ka filluar punën stafi i ri i rekrutuar i kuzhinierëve profesional dhe teknik”, ka shkruar Maqedonci.

Ministri ka thënë se ngritja e kapaciteteve të vetë qëndrueshmërisë është faktor i rëndësishëm i sigurisë së një vendi./GazetaEnigma/

Related Articles