Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ka konfirmuar se kontrata aktuale për furnizim me ushqim për FSK-në është duke u trajtuar nga mekanizmat e ministrisë.
Maqedonci deklaroi se në këtë fazë tranzitore janë duke u furnizuar përmes kompanive që kanë kontrata të lidhura me Agjencinë Qendrore të Prokurimit.
“Gjatë kësaj faze tranzitore kemi gjetur këtë mundësi. Ideja ka qenë që ta zbusim këtë rrezik. Sigurisht që s’mund të jetë e njëjta llojshmëri e shërbimit siç është kur kemi pasur operator. Mirëpo kemi tentuar që maksimalisht ta bëjmë të pamundurën që ushtarët tonë të ushqehen në kazerma. E di që është ngritur shumë si temë, por edhe një gjë që duhet ta theksoj është që ushtarët tonë nuk shkojnë në punë për shumëllojshmëri ushqimesh”, u shpreh ministri Maqedonci.
“Aktualisht ne jemi duke u furnizuar nga kompanitë që kanë kontrata me Autoritetin Qendror të Prokurimit, jo nga mensa, është autoritet që furnizon mensën. Kurse mbështetjen që e kemi pasur, e kemi pasur me personel që shërbejnë në mensën e studentëve dhe Shërbimin Korrektues në mënyrë që të zbusin rrezikun e ushqyerjes në fazën ku jemi aktualisht“, përfundoi ai.