Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan më 18 mars një deklaratë në Tiranë, në të cilën angazhohen të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ky hap ka ngjallur reagime të shumta, përfshirë atë të Serbisë, e cila e cilësoi këtë marrëveshje si një “provokim të hapur” ndaj Beogradit.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, shprehu shqetësim të madh lidhur me këtë aleancë në fushën e mbrojtjes që u arrit mes tri shteteve
. Nga ana tjetër, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, reagoi pas komenteve të presidentit serb, duke theksuar se Kroacia nuk ka nevojë të konsultohet me askënd për këtë çështje, përfshirë as Serbinë dhe as NATO-n.
Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e Ambasadës së Serbisë në Zagreb, e cila ka kundërshtuar ashpër pozitat e shprehura nga kryeministri kroat.
“I kemi dëgjuar me kujdes dhe kemi marrë parasysh deklaratat e kryeministrit Plenkoviq dhe zyrtarëve të tjerë kroatë në lidhje me marrëveshjen midis Kroacisë, Shqipërisë” dhe Kosovës. “Duke kuptuar se çdo shtet ka të drejtën sovrane të lidhë marrëveshje në përputhje me orientimin e politikës së jashtme, Serbia ka të njëjtën të drejtë të shprehë shqetësimin kur lëvizjet e tilla të marrëveshjes ekzistuese ndikojnë drejtpërdrejt në interesin tonë kombëtar”.
“Serbia vazhdimisht mbron bashkëpunimin e bazuar në respektin reciprok, dialogun dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar. Nëse kjo marrëveshje është vërtet ‘e zakonshme’ dhe ‘jo armiqësore’, siç pretendon kryeministri Plenkoviq, lind pyetja logjike – pse nuk u informua apo nuk u konsultua Serbia, duke pasur parasysh se kjo është një çështje e ndjeshme që ndër të tjera ndikon edhe në çështjen e integritetit tonë territorial?”, tha kjo ambasadë në platformën X.
Tutje, sikurse edhe krerët e shtetit serb, edhe ambasada serbe në Zagreb tha se marrëveshja Kosovë-Shqipëri-Kroaci “shkel frymën dhe kuptimin e Marrëveshjes Nën-rajonale të Kontrollit të Armëve të vitit 1996, e cila synon të ruajë stabilitetin dhe sigurinë në rajon”.
“Një qasje e tillë nuk i kontribuon marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë apo bashkëpunimit rajonal. Serbia nuk kërkon konflikte – Serbia kërkon transparencë, llogaridhënie dhe respektim të normave ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera./GazetaEnigma/