Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.
Në një komunikatë të UNMIK-ut thuhet se kjo marrëveshje u bë e mundur falë qasjes së përgjegjshme të shfaqur nga të dyja palët dhe përkushtimit të tyre në dialogun e lehtësuar nga BE
“Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh përshëndet marrëveshjen e arritur në Bruksel për masat në uljen e tensionit, e cila duhet të kthejë fokusin në normalizimin aq të nevojshëm të raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në komunikatë.
“Kjo u bë e mundur falë qasjes së përgjegjshme të shfaqur nga të dyja palët dhe përkushtimit të tyre në dialogun e lehtësuar nga BE.”
Në fund thuhet se Ziadeh mirëpret përpjekjet e partnerëve ndërkombëtarë për të ruajtur stabilitetin dhe për të siguruar paqen.