Platforma qytetare “Liria ka Emër”, përmes përfaqësuesve të saj Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, mbajti sot konferencën e fundit për media para marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë
Tasholli prezantoi detajet organizative të marshit.
Ai bëri të ditur se marshi do të ketë pesë folës nga kategori të ndryshme të shoqërisë, të cilët do të përcjellin mesazhe qytetare, pa përfshirje partiake.
“E ripërsëris edhe sot: asnjë folës nuk do të jetë partiak. Ky është marsh qytetar,” theksoi Tasholli.
Programi do të përfshijë edhe performancë artistike nga Ilir Shaqiri dhe Lyrical Son, ndërsa do të realizohet një aksion simbolik tek monumenti NEËBORN, si moment reflektimi për lindjen e shtetit të Kosovës dhe përgjegjësinë për mbrojtjen e së vërtetës së tij.
Platforma njoftoi gjithashtu se sot do të publikohet agjenda e nisjes së autobusëve nga secila komunë e Kosovës. “Janë qindra autobusë që do të nisen në mënyrë të organizuar drejt Prishtinës. Agjenda do të bëhet publike në faqen zyrtare të platformës ‘Liria ka Emër’, në mënyrë që çdo qytetar të ketë informacion të saktë,” deklaroi Tasholli.
Në aspektin e sigurisë dhe organizimit, platforma konfirmoi se janë ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme, në koordinim me Policinë e Kosovës, zjarrfikësit, njësitet emergjente shëndetësore, stacionet e autobusëve dhe strukturat përgjegjëse për parkingjet. Organizimi teknik i binës, videomaterialeve dhe sistemit të zërimit është planifikuar me kujdes për të garantuar një tubim të sigurt dhe dinjitoz.
“Ky do të jetë një marsh paqësor dhe i organizuar, që do të tregojë pjekurinë qytetare të Kosovës,” u tha në konferencë.
Në përmbyllje, përfaqësuesit e platformës rikujtuan se 17 shkurti është jo vetëm datë e shpalljes së pavarësisë, por edhe simbol i përgjegjësisë për të mbrojtur lirinë dhe të vërtetën.
“Kur një popull ngrihet në mënyrë paqësore për të kërkuar drejtësi, ai nuk e dobëson shtetin e tij – ai e forcon atë. Kur qytetarët bashkohen pa dallime, ata krijojnë vetëdije,” theksoi Tasholli.
Platforma “Liria ka Emër” u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që më 17 shkurt të dalin në shesh me familjet e tyre, në një marsh të qetë, dinjitoz dhe gjithëpërfshirës.
“Gjithçka është gati. Faleminderit për mbështetjen masive, përfshirë edhe mediat që kanë ndjekur dhe përcjellë këtë mobilizim qytetar. Shihemi më 17 shkurt,” thuhet në përfundim të komunikatës.
