Sulmuesi Anthony Martial ka hedhur poshtë raportet për disharmoninë mes Cristiano Ronaldos dhe bashkëlojtarëve në Manchester United.
Ardhja e superyllit portugez e shtyu Martialin të largohet nga “Old Trafford” dhe pasi bëri vetëm dy starte në Premierligë në gjysmën e parë të sezonit, 26-vjeçari zgjodhi t’i bashkohej Sevillas në formë huazimi në afatin e janarit.
Ndërsa Ronaldo ka vazhduar të jetë produktiv, duke shënuar 18 gola në 31 paraqitje këtë sezon, ka pasur disa pikëpyetje mbi rolin që ka në ekip dhe ndikimin tek pjesa tjetër e lojtarëve.
Si dhe raportet për fërkime me disa nga shokët e skuadrës, Ronaldo sugjeroi hapur se lojtarët më të rinj në ekip nuk po i dëgjonin këshillat dhe vuri në dyshim mentalitetin brenda skuadrës.
Ai gjithashtu thuhet se i ka befasuar shokët e skuadrës duke fluturuar në shtëpi në Portugali, kur u la jashtë skuadrës që humbi ndaj Manchester City javën e kaluar – megjithëse u përgjigj duke bërë një het-trik kundër Tottenham.
Tani Martial, i cili kaloi disa muaj duke luajtur dhe stërvitur përkrah Ronaldos, ka hedhur poshtë sugjerimet se 37-vjeçari është një personazh i vështirë dhe këmbëngul se skuadra shkoi mirë me të.
I pyetur nëse është e vërtetë që Ronaldo ishte një problem në dhomën e zhveshjes, Martial tha për ‘AS’: “Cristiano është një profesionist i lartë, një nga më të mirët në historinë e lojës’.
“Ne të gjithë e duam. Ka gjëra që thuhen në media që nuk janë të vërteta. Unë isha në dhomë të zhveshjes dhe e di se çfarë ndodhi”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Man United dje u eliminua nga Atletico Madrid në raundin e 16-të në Ligën e Kampionëve.