Mbrojtësi argjentinas, Lisandro Martinez, ka zbuluar se lindja e vajzës së tij ka qenë momenti vendimtar që e ka ndalur të mendojë për pensionimin nga futbolli, pas një dëmtimi të rëndë që e la për muaj të tërë jashtë fushës.
28-vjeçari pranoi se gjatë periudhës së rikuperimit nga dëmtimi i ligamentit të kryqëzuar anterior kishte menduar seriozisht të tërhiqej, për shkak të dhimbjes fizike dhe lodhjes psikologjike.
“Kam menduar të tërhiqem nga futbolli pasi pësova dëmtimin e ligamentit të kryqëzuar anterior vitin e kaluar. Thjesht nuk doja të vuaja më. Kisha kaluar edhe dëmtime të tjera në këmbë, përfshirë thyerjen e metatarsalit të pestë, por ky ishte, pa dyshim, më i rëndi”, tha Martinez.
Ai theksoi se gjendja e tij emocionale ishte shumë e rënduar, deri në momentin kur erdhi në jetë vajza e tij, çka i ndryshoi plotësisht mënyrën e të menduarit.
“Isha vërtet shumë i goditur psikologjikisht… por më pas lindi vajza ime dhe kjo ndryshoi gjithçka për mua. Kur pashë sakrificën e gruas sime dhe ardhjen në jetë të vajzës sonë, kuptova se duhet të vazhdoj të luftoj”, u shpreh mbrojtësi argjentinas.
Sipas tij, ai moment u shndërrua në pikën e kthesës që i dha forcë për të mos hequr dorë nga futbolli dhe për të vazhduar rikthimin në fushë.
