Të premtën e 21 janarit Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masat e reja kundër COVID-19 pas rritjes enorme të rasteve pozotive, raporton Gazeta ‘Enigma’.
Një ndër masat që ka marrë Qeveria është edhe ajo për gastronominë, e cila nga kjo e shtunë lejohet të punojë vetëm deri në orën 21:00, teksa muzika duhet të ndalet në orën 20:30.
Qeveria gjithasht ka theksuar edhe masat tjera që përfshijnë qëndrimin ulur të klientëve si obligim me përjashtim të disa rasteve: Kur klienti hyn ose del nga lokali, paguan porosinë, shkon në tualet, si dhe kur është e nevoshme për siguri apo shëndet.
Gjatë këtyre lëvizjeve, Qeveria thotë se duhet bartur maska.
Masat e plota për gastronominë:
Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Klientët dhe stafi i gastronomisë duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 26.1 ose 26.2 në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura të lokaleve, në përputhje me udhëzuesin përkatës, përveç atyre nën moshën 12 vjeçare.
Në lokalet e gastronomisë është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2.
Shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura lejohet deri në pesëdhjetë (50%) e kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në shtatëdhjetë (70%) e kapacitetit të hapësirës. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.
Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit.
Klientët duhet të qëndrojnë ulur në çdo kohë në kuadër të lokaleve të shërbimeve të gastronomisë në të cilën lejohet shërbimi i ushqimit apo pijeve, përveç:
39.1 Gjatë hyrjes apo daljes nga ambienti i lokalit:
39.2 Ndërsa paguan porosinë;
39.3 Gjatë shkuarjes apo kthimit nga tualeti;
39.4 Kur është e nevojshme për qëllime të shëndetit dhe sigurisë.
Në rastet nga pika 39.1 deri 39.4 është e obliguar bartja e maskës.
Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:00.
Muzika lejohet vetëm deri në orën 20:30.
Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që distanca ndërmjet klientëve në tavolina të ndryshme të jetë së paku një (1) metër.
Pjesa e prapme e një karrigeje, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet jenë në distancë së paku një (1) metër.
Në hapësirat e mbyllura lejohen deri në 4 persona në tavolinë. Në rast se tavolinat janë më të mëdha se dy (2) metra, atëherë parakusht është kufizimi prej pesë (5) persona në 10 m2.
Në hapësirat e jashtme lejohen deri në gjashtë (6) persona në tavolinë apo banak.
Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60% alkool.
Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 21:00, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK) dhe masa rigoroze të higjienës për veturën, porositë dhe personelin./Gazeta Enigma/