Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se mësimi nuk është zhvilluar në disa shkolla për shkak të reshjeve të shiut dhe vërshimeve, raporton Gazeta “Enigma”.
Përmes një postimi në Facebook MASHTI ka bërë të ditur se, përveç shkollave në Prishtinë, në komunat e tjera mësimi është zhvilluar normalisht. Po ashtu, është theksuar se orët e humbura do të zëvendësohen.
“Nga informatat e mbledhura nga sektorët rajonalë të Inspektoratit të Arsimit, rezulton se në të gjitha shkollat në Kosovë, mësimi është zhvilluar normalisht, edhe në shkollat që punojnë me dy ndërrime, me përjashtim të shkollave në komunën e Prishtinës. Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, ndërkaq, ka njoftuar për pezullimin e procesit mësimor për ditën e sotme në të gjitha shkollat, për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike dhe vështirësive në komunikacion. Inspektorati i Arsimit, bazuar në kompetencat e tij ligjore, do të monitorojë dhe do të sigurohet që të gjitha orët e humbura të procesit mësimor të ditës së sotme të zëvendësohen.”, thuhet në njoftimin e MASHTI-t.
