Hyrjet e daljet i kanë të shpeshta, ashtu siç i kanë të shumta kërkesat për të blerë klimë.
Kjo pajisje efiçiente që dikur konsiderohej mjet luksi, tashmë vlerësohet e domosdoshme e shumë e nevojshme për secilën familje e biznes.
Hovi u rrit, kur qytetarët e kuptuan se përmes kondicionerit, shpenzimet e energjisë elektrike janë më të ulëta, sidomos gjatë dimrit, krahasuar me lëndë të tjera djegëse apo pajisje të tjera të rrymës.
Sidoqoftë, sipas tregtarëve kërkesat për pajisje me klimë sivjet janë dyfishuar.
Kjo për shkak se vera bashkë me temperaturat e larta erdhi shumë më herët se ç’kishte ndodhur viteve të kaluara, por edhe për shkak të subvencionimit me pajisje efiçiente nga qeveria e Kosovës.
Riad Hasani- Pronar i RIMIDA
“Vitin e kalum në kohën e njëjtë kemi pas 6 mijë, kurse këtë vit kemi dyfishin e vitit të kalum. Pra deri në 12 mijë deri këto ditë, mirëpo t’u llogaritë se nuk jemi vetëm na, atëherë numri i klimave të shitura për këtë periudhë të vitit kur foli tham 1 janar deri tash”.
Megjithatë, disa tregtarë vlerësojnë se klientët kanë pak njohuri për kondicionerë, gjë që sipas tyre çon deri në shpenzime të shumta për një pajisje jo të duhur.
Riad Hasani- Pronar i RIMIDA
“Njohuritë e qytetarëve janë shumë të vogla, me të cilat hasim edhe gjatë blerjes, ku bëjnë shumë pyetje, për arsye se nuk e dinë se si të bëjnë përzgjdhjen e një klime me ble, për çfarë hapësire me përdor, qysh me përdor, qysh me dallu se cila është më e mirë, ose me eficiencë më të ultë ose më të lartë e shohim se ka shumë pak njohuri te blerësit.”
Është raportuar se këtë situatë, sidomos mos njohuritë e qytetarëve, disa biznese i kanë shfrytëzuar si karrem duke e zgjeruar territorin për keqpërdorime me qëllim të përfitimeve të majme.
Por për çfarë keqpërdorime e mashtrime po bëhet fjalë?
Shumica kanë dëgjuar për klimë 12-she, 18-she e 24-she. E po ashtu, edhe për klimë me 1 plus, 2 plusa dhe 3 plusa.
Mirëpo a kemi arritur të marrim informacionin e duhur nëse klimat që po shiten e ofrohen në tregun kosovar vërtetë kanë këto karakteristika? Pra, i kanë 3 plusat për të cilat qytetarët po paguajnë më shumë, më të vetmin qëllim, që fatura e energjisë elektrike t’iu vijë më e vogël.
Druajmë se jo!
Secila klimë e ka njësinë e saj BTU, e që nënkupton Njësinë Termike Britanike, përmes së cilës matet energjia apo kapaciteti i kondicionerit.
Klimat më të kërkuara janë 12 mijë BTU, 18 mijë BTU dhe 24 mijë BTU.
Kompanitë prodhuese, secilit lloj të kondicionerit ia kanë caktuar se për sa metra katrorë ka kapacitet të ngrohë apo ftohë.
Sipas të dhënave të cilat lehtësisht gjenden në internet, klima 12-she përdoret deri në 25 metra katrorë. Ajo 18-she preferohet deri në 40 metra katrorë. Derisa, maksimalisht për një hapësirë 60 metra katrorë, përdoret 24-shja.
Mirëpo, në treg dhe në faqet online ku shitet kjo pajisje elektrike, hasen metra katrorë krejtësisht ndryshe nga ajo që i ka përckatuar kompania.
Në shumicën e reklamave online, klima 12-she paraqitet se mund ta mbuloj një hapësirë deri në 60 metra katrorë. 18-shja deri në 80 metra katrorë, derisa 100 metra katrorë mund t’i mbuloj 24-shja.
E kjo sipas Riad Hasanit, i cili është përfaqësues i njërës nga kompanitë që bën shitjen e kondicionerëve me shumicë në tërë Kosovën është krejtësisht jashtë standardeve.
DEK: Riad Hasani- Pronar i RIMIDA
“Nëse themi për një klimë 24 se përdoret për 100 metra katrorë, prej fabrikës nuk i marrim këto sugjerime, nuk do të thotë se nuk mund të bëjë punë në 100 metra katrorë, por për të bërë punë 100 metra katrorë, duhet të ketë shumë izolime, të dritareve, të mureve, të rrethimit ku është e vendosur banesa ose shtëpia. Mirëpo, na nuk i referojmë një klimë 24-she në 100 metra katrorë, na i preferojmë më së shumti në 60 metra katrorë. Sepse nëse e blen ti një klimë atëherë ti e llogaritë edhe për kushte -10, 15 apo 20, mirëpo edhe për kushte ekstreme 40 gradë jashtë, atëherë duhet të ketë performanca për të cilën e merr. Kurse nëse e jep për 100 metra katrorë, sipas përvojës që kemi mbi 10 vjet, nuk i ka rezultatet e veta”.
Për këto, mungesa të inspektimeve dhe kontrollit të duhur nga ana e institucioneve kompetente konsiderohet arsyeja kryesore që iu ka dhënë hapësirë keqpërdoruesve të bëjnë mashtrime të tilla.