Kosovarët jo rrallëherë japin shuma të majme parash te personat jokompetentë për të kryer shërbime të ndryshme, të cilët më vonë rezultojnë të jenë vetëm mashtrues. Pre e një mashtrimi të tillë ka rënë edhe një grua nga Malisheva, e cila ka paguar qindra euro për “lirimin” e burrit të saj nga burgu.
Rastin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia, teksa tashmë janë zbuluar detaje të reja.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima është një 41-vjeçare, e cila e ka denoncuar rastin në Polici, ku raportoi se ia ka paguar mbi 500 euro një personi, që i premtoi rrejshëm se do ta ndihmojë.
I dyshuari, sipas dëshmisë së viktimës, kishte kontaktuar me të përmes telefonit dhe ka arritur ta mashtrojë, duke i thënë se nëse e paguan do t’ia lirojë bashkëshortin e saj nga burgu.
Sinjali mëson se pas dhënies së deklaratës së viktimës dhe mbledhjes së informacioneve të para, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Mashtrimi”.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit, ka urdhëruar masën e ndalimit policor për 48 orë dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.