Kylian Mbappe e ka mbështetur yllin e PSG-së, Ousmane Dembele për ta fituar Topin e Artë këtë vit, pas sezonit të jashtëzakonshëm me gjigantin francez.
Kapiteni i Francës, Mbappe, ka thënë se ai do të votojë për Dembelen para Lamine Yamal dhe bashkëlojtarit të tij tek Real Madridi, Vinicius Junior, për çmimin e Topit të Artë këtë vit.
Mbappe u largua nga PSG-ja me synimin për ta fituar Ligën e Kampionëve, sidoqoftë, ekipi i Luis Enriques e fitoi atë në sezonin e tyre të parë pa sulmuesin francez.
Dembele ishte ai që udhëhoqi sulmin e parisenëve drejt fitimit të tripletës, sidoqoftë ai po përballet me konkurrencë të madhe nga Yamal për Topin e Artë.
Futbollisti spanjoll ka fituar La Ligan me Barcelonën dhe po vazhdon të rrisë nivelin e tij të lojës javë pas jave.
“A do të votoja për Dembelen? Po. Nuk mendoj se ka nevojë për t’u shpjeguar. Njerëzit po flasin për Lamine Yamal dhe Dembele, por zgjedhja ime është e qartë: Unë votojë për Dembele”, ka thënë Mbappe.
Teksa Vinicius përfundoi i dyti mbrapa Rodrit në votimin e vitit të kaluar, duke bërë që të ketë një reagim të madh nga ylli i Real Madridit, braziliani nuk konsiderohet fare në mesin e favoritëve këtë vit pas një sezoni zhgënjyes me madrilenët.