Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar ndaj Ministrisë së Drejtësisë, e cila sot ka publikua shumen e mjeteve që i ka ndarë deri me tani për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
Ai ka bërë me dije se për këtë çështje nuk duhet të ketë kufizime.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se institucionet e Kosovës duhet të marrim mësim nga Kroacia për mbrojtjen e luftës çlirimtare.
“Reflektim para publikimit të centëve! Procesi i Hagës është në fazën delikate. Barra kryesore për rrëzimin e pikës së aktakuzës për sa i përket çështjes së ndërmarrjes së përbashkët kriminale është te ekipi mbrojtës i z. Thaçit. Të marrim mësim nga Kroacia. Kjo çështje, përkatësisht fondet, kanë qenë dhe mbeten sekret shtetëror, kjo shpërfaq qasjen që ka pasur ky shtet në raport me luftën. Tek ne, tashmë kjo është publike, në rregull, por së paku lë të mos kihet kufizim deri në shkallën sa të dëmtohet mbrojtja sa më kualitative”, ka shkruar Bajraktari, duke shtuar Qeveria e Kosovës duhet të reflektojë.
“Kompanitë e avokatëve kualitativ kushtojnë, tërheqja eventuale është shumë e dëmshme në këtë fazë të procesit. Më e pritshme do të ishte reflektim para publikimit të shumave të parave, madje të 2 centëve. Institucionet e vendit prioritet të parë duhet ta kenë mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë, kështu mbrohet shteti, mbrohet historia jonë e re, normalisht, me sigurimin e fondeve për aq sa ka nevojë”, ka shkruar ai.