Ismail Dibrani, Drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) ka thënë se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë vendim nga presidenca për falje të të burgosurve.
Ai ka thënë se vetëm brenda këtij viti janë mbi 100 kërkesa për falje nga të burgosurit të cilat ua mundëson ligji të cilat i kanë adresuar si SHKK në presidencë.
“Deri më tani nuk kemi pranuar asnjë dekret të vetëm nga presidentja për asnjë të burgosur”.
Ai tutje ka thënë se e drejta e garantuar me ligj si instrument ligjor nuk është shfrytëzuar nga presidentja gjë për të cilën ai ka thënë se si SHKK nuk kanë mandat ta komentojnë, por që do të ishte mirë që të shfrytëzohej.
“Do të ishte mirë që të shfrytëzohej sepse shfrytëzohet në të gjithë botën. Ju i keni pa edhe vendimet e fundit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, para disa ditësh ishin mbi 1500, po ashtu edhe para dy dite ishte dekreti tjetër, afër 40 persona nga dënimi me burg me vdekje e kishte kthyer në dënim të përjetshëm”, ka thënë Dibrani në RTV Dukagjini.
Drejtori i SHKK-së ka thënë se të drejtë për falje kanë shumica e personave të dënuar duke përjashtuar personat me vepra për krime lufte dhe disa vepra specifike.