Mbi 16 vjet burgim për abuzim seksual me të mitura për udhëheqësin e një Kishe në Meksikë

Mbi 16 vjet burgim për abuzim seksual me të mitura për udhëheqësin e një Kishe në Meksikë

Udhëheqësi i një Kishe të madhe me bazë në Meksikë, është dënuar me mbi 16 vjet burgim në Kaliforni, për abuzim seksual me tri vajza.

Naason Joaquin Garcia ishte udhëheqës dhe apostull i vetëquajtur i kishës ‘La Luz del Mundo’ (Drita e Botës) në Guadalajara.

53-vjeçari ishte deklaruar papritmas fajtor të premten e kaluar, për tre vepra penale, duke përfshirë dy akuza për akt oral të dhunshëm që përfshinin dy të mitura, dhe kryerjen e një akti të turpshëm ndaj një fëmije.

Në këmbim të pranimit të fajësisë, prokurorët hoqën 16 akuza për krime seksuale kundër tij, që përfshinin akuza për përdhunimin e fëmijëve dhe grave, si dhe trafikimin e qenieve njerëzore për të prodhuar pornografi për fëmijë.

Garcia u arrestua në aeroportin e Los Anxhelosit në vitin 2019.

Disa nga akuzuesit e Garcias shprehën zemërimin pas dënimit, duke thënë se dënimi ishte shumë i butë dhe se ato nuk ishin konsultuar në marrëveshjen që abuzuesi i tyre arriti me zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Kalifornisë.

Viktimat, secila prej të cilave u identifikua si Jane Doe në gjykatë, kishin kërkuar që Garcia të përballej me gjyqin dhe dënimin maksimal të mundshëm, pas një seance emocionale që zgjati gati tre orë.

Viktimat e quajtën të akuzuarin “i keq”, “përbindësh”, “mbeturinë e neveritshme njerëzore” dhe “antikrisht”.

Një viktimë, e cila tha se Garcia i kishte marrë virgjërinë dhe besimin e saj, iu lut gjykatësit që “të sigurohej që ky njeri të largohet përgjithmonë”.

“Si është kjo drejtësi?” pyeti ajo.

Megjithatë, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ronald Coen, i cili shpalli dënimin me 16 vjet e tetë muaj, tha se duart e tij ishin të lidhura për shkak të marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Gjyqtari e quajti Garcian një grabitqar seksual, raporton DW, transmeton Klankosova.tv.

Ndërkohë, Kisha e Garcias ka vazhduar të mbështesë udhëheqësin e saj, duke lëshuar një deklaratë për të shprehur publikisht mbështetjen “Apostullin e Jezu Krishtit”, dhe duke vlerësuar ”integritetin, sjelljen dhe punën e tij”.

Kisha në deklaratë tha se provat kundër Garcias ishin falsifikuar dhe se lideri nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të arrinte një marrëveshje pasi ai nuk do të kishte marrë një gjyq të drejtë./Gazeta Enigma/

Related Articles