Mbi 200 anëtarë të grupit mafioz “Ndrangheta”, janë dënuar me më shumë se 2 mijë e 200 vjet burgim.
Kështu mori fund një nga gjykimet më të mëdha mafioze në historinë e Italisë.
338 persona u akuzuan për krime të ndryshme dhe lidhje me një nga grupet më të fuqishme në botën e krimit.
Gjykimi ndaj tyre nisi në janarin e vitit 2021.
Në mesin e tyre ka mafioz, biznesmenë edhe politikanë, të cilët akuzohen për vrasje, korrupsion, trafik droge, pastrim parash dhe zhvatje.
Rreth 67 të pandehur ishin shpallur fajtorë më herët, pas një gjykimi të shpejtë, derisa 131 persona janë liruar, shkruan SkyNews.
Tre gjyqtarë që dolën në pension muajin, e që ishin duke gjykuar anëtarët e “Ndranghetas”, u vendosën nën mbrojtjen e rreptë të policisë në shtëpitë e tyre.
Në mesin e të dënuarve janë: Domenico Tomaino, i njohur si ‘Ujku’, i cili u dënua me 17 vjet; Francesco Barbieri, i njohur si “trashaluqi”, i cili u dënua me 24 vjet burgim, Vincenzo Barba, i njohur si ‘Muzikanti’, i cili u dënua me 28 vjet.
Ish-deputeti i Forza Italia, Giancarlo Pittelli, ishte njëri nga të pandehurit më të profilit të lartë, i cili u dënua me 11 vjet.
Pittelli, luajti rolin e ndërmjetësit të këtij grupi.
Bosët e dy klaneve Ndrangheta, Saverio Razionale dhe Domenico Bonavota, të dy morën 30 vjet burg, shkruan Skynews.
Disa dhjetëra informatorë tradhtuan organizatën dhe kodin e saj të rreptë të heshtjes për të siguruar prova për prokurorinë.
“Ndrangheta”, u themelua në shekullin e 18-të në Kalabri të Italisë.
Ajo është bërë një nga organizatat kriminale më të fuqishme, më të gjera dhe më të pasura në botë.
“Ndrangheta” është mafia e vetme që është aktive në çdo kontinent, përveç Antarktidës.
Thuhet se kontrollon 80 për qind të tregtisë së kokainës në Evropë dhe ka një qarkullim vjetor prej 52 miliardë funtesh.