Lideri opozitar indian, Rahul Gandhi, bëri thirrje për izolim mbarëkombëtar, pasi shifra e përgjithshme e të infektuarve me COVID19 në Indi e kaloi shifrën e 20 milionë rasteve, duke u bërë vetëm shteti i dytë që e arrin këtë numër pas Shteteve të Bashkuara.
Vala e dytë e infeksioneve në Indi për vetëm katër muaj shtoi dhjetë milionë raste, ndërsa 10 milionë rastet tjera u shënuan përgjatë 10 muajve të parë të pandemisë.
Të martën, India regjistroi 357 mijë e 229 raste të reja gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 3.449 viktima, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve ne 222 mijë e 408, shkruan Reuters.
“Qeveria e Indisë s’po kupton. Mënyra e vetme për ta ndalur përhapjen e Koronës tani është një izolim i plotë. Mosveprimi i qeverisë po vret shumë njerëz të pafajshëm”, shkroi në rrjetet sociale lideri opozitar i Indisë.