Mbi 230 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve, gjatë vitit konfiskohen mesatarisht 1.500

Mbi 230 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve, gjatë vitit konfiskohen mesatarisht 1.500

Numri i madh i armëve pa leje në duart e qytetarëve po vlerësohet rrezik i madh për sigurinë publike. Në shtatë muajt e parë të vitit janë konfiskuar pak mbi 600 armë ilegale, ndërkohë që besohet se në duart e qytetarëve janë mbi 230 mijë. Ministria e Punëve të Brendshme ka veçuar disa sfida në luftën kundër armëmbajtësve pa leje.

Lagjja “Aktash” në Prishtinë në tri ditët e fundit dy herë u kthye në skenë krimi. Në një rast u vra një person e u plagosën pesë të tjerë në konfrontimin e dy grupeve kriminale, e në një tjetër, një personi iu vu arma në kokë pas mosmarrëveshjes për vendparkim.

Numri i madh i armëve pa leje në duart e qytetarëve po vlerësohet rrezik i madh për sigurinë publike.

“Zakonisht dukuria e vrasjes por jo vetëm e vrasjes, por edhe e kërcënimeve ose e realizimit të dukurive të ndryshme kriminale sikurse kemi të bëjmë me vjedhjen dhe grabitjen zakonisht shfrytëzohen me armë të zjarrit çka kemi edhe për pasoj një numër të lartë të këtyre dukurive sidomos të vrasjeve ku Kosova shënon rritje të kësaj dukurie”, ka thënë Armend Halimi, kriminolog nga Instituti për Studime të Sigurisë.

Sipas të dhënave të Policisë, mesatarisht gjatë një viti konfiskohen rreth 1.500 armë pa leje, ndërkohë që besohet se janë mbi 230 mijë në duart e qytetarëve.

Në shtatë muajt e parë të këtij viti janë konfiskuar 632 armë ilegale.

Por avokati Skender Musa është i bindur se vetëm në një lagje apo në një fshat mund të gjenden shumë më tepër armë se kaq.

“Numri është jashtëzakonisht i vogël krahasim me armët që mund të gjenden nëpër shtëpi të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Mendoj se secilën lagje të secilit vendbanim qoftë fshat apo qytet do të mund të gjendeshin 800 armë. Kam krijuar përshtypjen se çdo i dyti qytetarë po të kontrollohej do t’i gjendej një armë. Në Kosovë më lehtë mund të gjesh armë sesa disa produkte tjera ushqimore”, ka thënë ai.

Në një përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme janë veçuar disa sfida në luftën kundër armëmbajtësve pa leje.

“Moszbatimi i drejtë dhe rigoroz i legjislacionit përkatës për çështjen e armëve në përgjithësi. Koha e gjatë për trajtimin e rasteve, sidomos nga prokuroria dhe gjykata. Dhënia e dënimeve të ulëta për kryerësit e veprave me armë dhe mossanksionimi i tyre nga gjykata”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Dënimi për armëmbajtje pa leje, sipas Kodit Penal të Kosovës, ndëshkohet me gjobë deri në 7.500 euro apo edhe me burgim deri në pesë vjet. E, për më shumë se katër armë, burgimi mund të shkojë deri në dhjetë vjet burgim.

Related Articles