Një anije shpëtimi që operon në brigjet e Libisë shpëtoi 258 emigrantë në dy operacione të ndara në mëngjesin e premtes.
I pari nga dy operacionet përfshiu një varkë prej druri 7 metra të gjatë të mbushur me 162 emigrantë, përfshirë 17 gra dhe 29 të mitur, shumë prej tyre në një zonë të mbyllur poshtë kuvertës, shkruan Euronews.
Varka kishte një motor, por pa sistem navigimi, tha Fulvia Conte, koordinatorja e shpëtimit për anijen Geo Barents, e cila drejtohet nga shoqëria bamirëse humanitare Mjekët pa Kufij.
Grupi i sirianëve dhe egjiptianëve kishin kaluar orë të tëra në det.
“Shumë prej tyre ishin nën kuvertë, në barkun e varkës, një vend që është edhe më i pasigurt për sa i përket ventilimit”, tha Conte për Associated Press.
Shpëtimi i dytë përfshiu 96 njerëz në një varkë të ngjashme prej druri, duke përfshirë nëntë fëmijë sirianë.