Mbi 300 të vdekur dhe qindra të zhdukur nga vërshimet dhe në Pakistan

Mbi 300 të vdekur dhe qindra të zhdukur nga vërshimet dhe në Pakistan

Më shumë se 200 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur në rajonin Buner në veriperëndim të Pakistan, si pasojë e vërshimeve shkatërruese dhe rrëshqitjeve të dheut.

Si pasojë e vërshimeve kanë vdekur më shumë se 300 persona në Pakistan dhe Kashmirin e administruar nga Pakistani në ditët e fundit. Numri më i madh i viktimave është regjistruar në provincën Kiber Paktunkva.

Autoritetet frikësohen se numri i viktimave mund të rritet edhe më shumë.

Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë thënë se i kanë varrosur tetë trupa të paidentifikuar, sepse asnjë familjar i tyre nuk ka qenë i gjallë, raporton REL.

Shirat e rrëmbyeshëm në periudhën qershor-shtator sjellin rreth tre të katërtat e reshjeve vjetore në Azinë Jugore.

Vetëm këtë vit, në Pakistan kanë vdekur mbi 650 persona si pasojë e këtyre kushteve atmosferike.

Ndonëse rrëshqitjet e dheut dhe vërshimet janë pasoja të zakonshme të shirave të rrëmbyeshëm, shkencëtarët besojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë këto situata atmosferike më intensive dhe më të shpeshta.

Për viktima nga shirat është raportuar edhe në Kashmirin e administruar nga India.

Përveç dëmeve në njerëz, shirat e rrëmbyeshëm i përkeqësojnë rrëshqitjet e dheut dhe ndonjëherë rezultojnë me bllokim të rrjedhës së lumenjve.

Ndërsa shkaku i saktë i përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut të kohëve të fundit ende nuk është përcaktuar, shkencëtarët besojnë se shkrirja e akullnajave është faktor kontribuues.

Related Articles