Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar të dhënat më të fundit mbi pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke raportuar një rritje të ndjeshme të daljes në votime gjatë orëve të pasdites.
Sipas statistikave zyrtare, deri në orën 18:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar gjithsej 573,825 qytetarë në të gjithë Kosovën.
Ky numër tregon një intensifikim të procesit zgjedhor në orët e fundit të votimit, teksa qytetarët kanë vijuar të paraqiten në qendrat e votimit në mbarë vendin.
KQZ ka bërë të ditur se në këto shifra janë përfshirë vetëm votat në vendvotimet e rregullta, ndërsa ende nuk janë llogaritur votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga diaspora.
Procesi zgjedhor pritet të përmbyllet zyrtarisht në orën 19:00, kur edhe do të mbyllen të gjitha qendrat e votimit në vend.
