Më shumë se 70 persona u vranë të enjten në Rripin e Gazës si pasojë e sulmeve ajrore izraelite, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë në Gaza, ndërsa ushtria izraelite vazhdon ofensivën e saj ushtarake në këtë territor të rrethuar, në mesin e përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mes viktimave ka edhe fëmijë. Në zonën Jabalia al-Balad në veri të Gazës, disa banesa u goditën nga sulmet izraelite, duke shkaktuar viktima në mesin e civilëve, përfshirë dy fëmijë.
Ndërkohë, në kampin e refugjatëve Al-Shati, në perëndim të qytetit të Gazës, tre fëmijë që po strehoheshin në një tendë humbën jetën nga bombardimet. Drejtori i Spitalit Al-Shifa në Gaza, Mohammed Abu Salmiya, konfirmoi vdekjen e tyre.
Sulmet e reja po ndodhin në një kohë kur tensionet në rajon po përshkallëzohen dhe numri i viktimave civile vazhdon të rritet.