Mbi gjysmë milioni euro për një Kuvend që nuk e ka nisur punën

Mbi gjysmë milioni euro për një Kuvend që nuk e ka nisur punën

Pa kryer asnjë punë, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës dhe asistentët e tyre po i kushtojnë buxhetit të shtetit qindra mijëra euro. Tashmë dyzet e tri përpjekje për të konstituar Kuvendin, kanë dështuar. Për disa deputetë të rinj, kjo situatë është shumë larg pritshmërive të tyre.

Nezir Krakit, bllokimi i konstituimit të Kuvendit po i vështirëson punën dhe angazhimin si ligjvënës.

Ai u zgjodh për herë të parë në zgjedhjet e 9 shkurtit si deputet i partisë Guxo – pjesë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Alternativën, që fitoi shumicën e votave.

Mandatin e deputetit të Kuvendit të Kosovës thotë se e ka marrë për të kontribuar në jetën politike dhe parlamentare si ligjvënës, “e jo kot së koti”.

Kraki dhe deputetët tjerë të zgjedhur – 120 gjithsej – marrin paga sikur Kuvendi të ishte funksional.

Që nga 15 prilli, kur ka filluar seanca konstituive, ata kanë përfituar dy paga e gjysmë, edhe pse shumica e 43 vazhdimeve kanë zgjatur vetëm disa minuta, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe mënyrën e votimit.

Deri tani, 103 deputetë kanë marrë dy paga e gjysmë, ndërsa 17 të tjerë, që kanë mandatin e deputetit, por vazhdojnë të mbajnë funksione në Qeverinë në detyrë të Kosovës, janë paguar nga ekzekutivi.

Kostoja totale për pagat e deputetëve, nga 15 prilli deri më 30 qershor, ka arritur në 478.692 euro.

Përveç pagave të tyre, buxheti i shtetit mbulon edhe pagat e zyrtarëve të lartë personalë të deputetëve, që ndryshe njihen si asistentë.

Related Articles