Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhet sot, ndërkaq një ndër temat e diskutimit do të jetë edhe shkurtimi apo heqja e fushatës zgjedhore.
Lajmin e ka konfirmuar anëtari i kryesisë së LDK-së, Arben Gashi, në një prononcim për Reporterin.
“Në orën 14:00 do të mblidhet Kryesia. E padyshim njëra nga temat do të jetë edhe për fushatën zgjedhore, ku mund të kërkohet edhe shkurtimi ose heqja fare e fushatës”, ka deklaruar Gashi.
Në mbledhje do të diskutohet edhe rreth takimit me presidenten Vjosa Osmani, ku LDK-ja ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Osmani ka ftuar partitë politike për të diskutuar rreth zgjedhjeve lokale, që është planifikuar të mbahen më 17 tetor, por Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rekomanduar shtyrjen e tyre.