Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se Irani ka goditur pistën e uljes së bazës ajrore britanike RAF në Qipro, ku mbrëmë është regjistruar një sulm me dron, fatmirësisht pa viktima.
Më herët, Ministria britanike e Mbrojtjes kishte njoftuar transferimin e familjeve nga baza si një masë paraprake, në kuadër të përforcimit të sigurisë së objektit.
Ministrja e Brendshme britanike, Yvette Cooper, gjatë një interviste në Sky News, u shpreh mbi përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme dhe theksoi se qeveria britanike po bën çdo përpjekje që qytetarët e saj në rajon të jenë të sigurt.
Ajo vuri në dukje se rreth 300,000 qytetarë britanikë ndodhen aktualisht në vendet e Gjirit, shumë prej të cilave tani janë në shënjestër të Iranit dhe disa ku hapësira ajrore është mbyllur për shkak të krizës.
Cooper u bëri thirrje qytetarëve që të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve lokale, të cilat në shumicën e rasteve përfshijnë qëndrimin në vende të sigurta.
