“Mbrojtja Civile e Brigada e Veriut po bëjnë thirrje për sulme ndaj Policisë, KFOR-it e EULEX-it”

“Mbrojtja Civile e Brigada e Veriut po bëjnë thirrje për sulme ndaj Policisë, KFOR-it e EULEX-it”

Skënder Perteshi nga Instituti “Prevent”, tha se “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, për vite me radhë, së bashku me mbi 90 kanale aktive që janë në Telegram, në baza ditore publikojnë lajme propaganduese ku sipas tij, tentojnë ta minojnë besimin e serbëve që jetojnë në Kosovë ndaj institucioneve të Kosovës.

“Bëhet thirrje tek qytetarët serbë që të bëhen gati për rezistencë, t’i sulmojnë pajisjet e Policisë së Kosovës, institucionet e Kosovës. Nëpërmjet këtyre grupeve, KFOR-i, EULEX-i e Perëndimi shihen si armiq të popullit serb”, tha Perteshi.

Ai ka folur edhe për agresionin në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar dhe sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

Perteshi tha se terroristët që kanë marrë pjesë në agresionin në Banjskë janë në listat e pagave të strukturave të sigurisë së Serbisë.

“Po ashtu shumica e njerëzve që kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskës janë pjesë e Mbrojtjes Civile dhe financiarisht mbështetet direkt prej Serbisë. Ka edhe shumë informacione që AKI-ja, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit i kanë”, tha Perteshi në “Info Magazine” në Klan Kosova.

“Po besoj që të gjitha këto informacione i kanë ndarë nëpërmjet rrugëve zyrtare me shtetet e BE-së dhe nuk shoh ndonjë arsye se pse NATO dhe BE-ja nuk i bëjnë presion Serbisë për këto dy sulme. Janë dy grupe që janë të lidhura me “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” që kanë lidhje të ngushta dhe marrin mbështetje prej strukturave të sigurisë së Serbisë”.

Related Articles