Ka rifilluar seanca në rastin e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.
Fjalën e ka mbrojtja e Rexhep Selimit, me folës kryesor avokatin e tij Geoffrey Roberts, transmeton Klankosova.tv. Që në start, avokati tha se Selimi është i pafajshëm, dhe kështu, siç tha ai, e ka vërtetuar mbrojtja në dosjen përfundimtare.
Roberts theksoi se ZPS-ja nuk ka arritur të përmbushë detyrimin e saj për të vërtetuar asnjërën prej këtyre krimeve.
“Selimi është i pafajshëm për secilin prej krimeve të pretenduara në aktakuzë, siç e ka vërtetuar mbrojtja në dosjen përfundimtare. ZPS nuk ka arritur të përmbushë detyrimin e saj për të vërtetuar asnjërën prej këtyre krimeve. Kaq është dhe kjo është çështja jonë”, tha ai.
Avokati Robert shtoi se ndryshe nga Prokuroria, mbrojtja nuk ka asgjë për të fshehur, pra siç u shpreh ai, synon të jetë sa më transparente.
“Ndryshe nga Prokuroria, ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Ne synojmë të jemi sa më transparentë lidhur me qëndrimin tonë dhe jo të fshihemi pas fjalëve të pakuptimta. Ne do të trajtojmë provat që janë paraqitur dhe do të tregojmë se çfarë ato në fakt vërtetojnë”.
“Ne qëndrojmë pranë argumenteve tona faktike të paraqitura në dosjen përfundimtare, por edhe gjatë gjithë gjykimit. Pretendimi i parë ka të bëjë me ekzistencën e një NPK-je në tërësi, përfshirë natyrën e saj, me pretendimin për kontributin e Selimit në atë NPK, me pretendimet për praninë e tij fizike në incidente dhe brenda Shtabit të Përgjithshëm”.
“Nuk ka ekzistuar asnjë NPK në të cilën ishte i përfshirë Selimi dhe të akuzuarit e tjerë. Ky është qëndrim që mbetet i pandryshuar”, shtoi avokati.
“Pretendimi për NPK është i mangët në logjikë dhe i mangët në prova”.
